Aktivitete · Mbrojtja e konsumatorit

Trajnime për gjyqtarët mbi mbrojtjen e konsumatorit

Në datat 22 Qershor 2026, 11 Shtator 2026 dhe 18 Shtator 2026, Qendra “Konsumatori Shqiptar” dhe ANTTARC, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, organizuan pranë ambienteve të Këshillit trajnime të dedikuara për gjyqtarët në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.

Temat e trajnimeve

Tri fusha kryesore të mbrojtjes së konsumatorit

Gjatë këtyre trajnimeve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me zbatimin dhe interpretimin e këtij legjislacioni, përkatësisht:

  1. Kuadri ligjor për mbrojtjen e konsumatorit dhe përafrimi me të drejtën e Bashkimit Evropian. Praktika administrative dhe rishikimi gjyqësor.
  2. Kushtet e padrejta në kontratat konsumatore. Praktika e institucioneve publike dhe gjykatave shqiptare, si dhe roli i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me kushtet e padrejta.
  3. Paditë kolektive në mbrojtje të konsumatorëve. Praktika evropiane dhe sfidat e kuadrit ligjor shqiptar.

Diskutime & praktikë gjyqësore

Nga legjislacioni te zbatimi në gjykatë

Diskutimet mes lektorëve dhe pjesëmarrësve u përqendruan në praktikën gjyqësore shqiptare dhe evropiane, si dhe në qasjen e gjykatave shqiptare ndaj legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit. Në mënyrë të veçantë, u trajtuan çështje që lidhen me ankimet ndaj vendimeve të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, kushtet e padrejta në kontratat konsumatore dhe mundësinë e konstatimit ex officio të këtyre kushteve nga gjykatat e shkallës së parë. Fokus të veçantë iu kushtua padive kolektive, si një instrument shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave kolektivë të konsumatorëve.

Në këto trajnime morën pjesë mbi 20 gjyqtarë të shkallës së parë dhe të apelit, të gjykatave civile dhe administrative, si dhe anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e praktikave, përvojave dhe perspektivave mbi zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit.

Qendra “Konsumatori Shqiptar” · ANTTARC

Scroll to Top