





Raporti “Mashtrimet Financiare Online” u realizua në kuadër të një studimi të koordinuar nga BEUC, organizata ombrellë e organizatave evropiane për mbrojtjen e konsumatorëve. Në këtë studim morën pjesë 13 organizata nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, duke përdorur të njëjtën metodologji kërkimore.
Edhe pse Shqipëria nuk është ende Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian dhe nuk ka përafruar ende legjislacionin e saj me Rregulloren për Aktin e Shërbimeve Digjitale (Digital Services Act – DSA), ajo u përfshi në këtë raport me synimin për të analizuar situatën aktuale në një vend jashtë BE-së.
Për më shumë informacion mbi raportin e realizuar nga BEUC dhe organizatat partnere në vendet evropiane, ju ftojmë të lexoni dokumentin e plotë në linkun e mëposhtëm:
BEUC Report: Sponsored by Scammers
🔎 Gjetjet për platformën Meta
Gjatë monitorimit u raportuan 13 reklama të lidhura me mashtrime financiare online. Nga këto:
- 9 reklama nuk u hoqën nga platforma dhe vijuan të qëndronin aktive;
- 1 reklamë u injorua dhe nuk u dha asnjë përgjigje apo njoftim nga platforma;
- 3 reklama u fshinë dhe nuk ishin më të aksesueshme përmes lidhjeve të raportuara.
Gjithashtu, u raportuan 10 postime të tjera të lidhura me mashtrime financiare online. Asnjë prej tyre nuk u hoq nga platforma, me arsyetimin se përmbajtja “nuk shkel standardet e sigurisë së platformës”.
🔎 Gjetjet për platformën TikTok
Gjatë periudhës së realizimit të studimit, identifikimi dhe raportimi i reklamave në TikTok rezultoi i pamundur për shkak të kufizimit të aksesit në platformë në Shqipëri gjatë vitit 2025.
Megjithatë, u raportuan 10 postime të lidhura me mashtrime financiare online. Asnjë prej tyre nuk u fshi nga platforma, me argumentin se përmbajtja “nuk shkel standardet e sigurisë së platformës”.
📄 Për më shumë informacion mbi gjetjet dhe analizën e plotë, ju ftojmë të lexoni raportin e plotë: 👇👇👇:
Raport: Mashtrimet Financiare Online
⚠️ Nëse keni qenë viktimë e një mashtrimi financiar online ose keni hasur përmbajtje të dyshimta në rrjetet sociale, mos hezitoni të ankoheni.
Qendra “Konsumatori Shqiptar” ofron këshillim dhe ndjekje ligjore falas për konsumatorët.