Maj – Qershor 2026
U përmbyll me sukses Moot Court "Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e të Drejtave të Konsumatorëve", i pari në llojin e tij. Aktiviteti u shtri në tre faza dhe solli së bashku studentë e pedagogë nga disa universitete të vendit, të cilët u përballën përmes simulimit të Zgjidhjes Alternative të Mosmarrëveshjeve.
Një format inovativ i bazuar në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve
Në konkurrim morën pjesë 10 ekipe, secili i përbërë nga 3 studentë dhe 1 pedagog përfaqësues, nga universitete të ndryshme të vendit:
- Universiteti i Durrësit
- Universiteti i Elbasanit
- Universiteti Bujqësor i Tiranës
- Universiteti EPOKA
- Kolegji Universitar i Biznesit
- Universiteti i Tiranës
Gjatë çdo përballjeje, njëri ekip përfaqësonte interesat e tregtarit, ndërsa pala tjetër mbronte të drejtat e konsumatorëve. Rolet e secilës skuadër u përcaktuan me short.
Kazuset praktike, të bazuara në një çështje reale, iu dërguan ekipeve paraprakisht, duke u dhënë mundësinë të përgatiteshin mbi bazën e legjislacionit përkatës dhe të ndërtonin argumentimin juridik të secilës palë. Gjatë seancave, ekipet paraqitën kërkesat, pretendimet dhe argumentet e tyre, të mbështetura në kuadrin ligjor në fuqi.
Si u vlerësuan ekipet
Çdo përballje, në secilën nga tre fazat, u vlerësua nga një juri profesionale me tre anëtarë, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në Rregulloren e Moot Court, e cila u ishte dërguar ekipeve përpara fillimit të Fazës I. Vlerësimi u mbështet në:
- përgatitjen profesionale;
- bazën ligjore të argumentimit;
- aftësinë e bashkëpunimit në ekip;
- etikën profesionale gjatë paraqitjes;
- kriteret e tjera të përcaktuara në rregullore.
Faza I — Siguria ushqimore
Në Fazën I, ekipet u përballën me njëri-tjetrin në pesë përballje mes dy skuadrave.
Rasti: Një familje kishte blerë një produkt ushqimor të etiketuar "BIO". Brenda pak ditësh, si rezultat i konsumit, familja shfaqi probleme shëndetësore. Ata u ankuan dhe u kryen inspektime nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Çështja vazhdon…
Nga 10 ekipet konkurruese, juria përzgjodhi 6 ekipet me pikët më të larta për të vijuar në Fazën II.
Faza II — Paketat turistike
Në Fazën II konkurruan 6 ekipet që kaluan Fazën I.
Rasti: Një familje kishte blerë një paketë turistike pranë një agjencie turistike, me qëndrim njëjavor në një hotel me katër yje, me shërbime "Full Board". Gjatë qëndrimit, konsumatorët u përballën me vështirësi në përdorimin e shumë shërbimeve për shkak të fluksit të turistëve, me mbylljen e pishinës për shkaqe sigurie dhe cilësie të ujit, si dhe me problematika të lëkurës tek fëmija i familjes, për të cilat u ngrit shqetësimi se lidheshin me cilësinë e ujit të pishinës. Çështja vazhdon…
Nga 6 ekipet konkurruese, juria përzgjodhi 2 ekipet me pikët më të larta për të vijuar në Fazën III, Finale.
Faza III, Finalja — Kredia konsumatore
Në fazën finale kaluan 2 ekipe:
- Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës;
- Fakulteti i Biznesit dhe i Drejtësisë, Universiteti i Elbasanit.
Rasti: Një çift bashkëshortësh lidhi një kontratë kredie konsumatore në kuadër të një oferte promocionale për financim edukimi. Kontrata u lidh me procedurë të përshpejtuar, mbështetur në vetëdeklarimet e konsumatorëve, të cilët dorëzuan deklarime të pavërteta për të ardhurat. Megjithëse sistemi i brendshëm i bankës sinjalizoi mospërputhje dhe një nivel të moderuar risku, banka nuk ndërmori verifikime të mëtejshme. Pas disbursimit, fondet nuk u përdorën për qëllimin e deklaruar të edukimit, por për investim në pasuri të paluajtshme dhe shpenzime personale. Pas rreth tetë muajsh, konsumatorët nuk vijuan me pagesat e kësteve. Vazhdon…
Ekipi fitues
Fitues i Fazës III dhe i Moot Court "Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e të Drejtave të Konsumatorëve" u shpall ekipi përfaqësues nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Falënderime
Falënderojmë me vlerësim për punën dhe përkushtimin e treguar të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet!
Rreth projektit SAFECons
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit "Shoqëria Civile në Veprim për Përpjekje të Koordinuara në Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve – SAFECons", financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra Konsumatori Shqiptar (QKSH) dhe Qendra Burimore Kombëtare Shqiptare e Trajnimit dhe Asistencës Teknike (ANTTARC).