Qendra “Konsumatori Shqiptar”, Qendra ALERT dhe Qendra për Ekselencë DESTINY, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, organizuan një tryezë diskutimi në kuadër të 15 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Konsumatorit. Tema e kësaj Tryeze të Rrumbullakët ishte “Produkte të sigurta, konsumatorë me besim”, e cila përbën gjithashtu sloganin global të kësaj dite.
Në këtë aktivitet, i cili organizohet në kuadër të projektit “Shoqëria Civile në Veprim në përpjekje të Koordinuara për Sigurinë Ushqimore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit,” zbatuar nga Qendra Konsumatori Shqiptar dhe ANTTARC me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë të fushës, gazetarë si dhe studentë.
Takimi u çel me fjalën përshëndetëse të Shefit të Seksionit për Zhvillimin Ekonomik dhe Social në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Andrea Ferrero, i cili theksoi rolin thelbësor të konsumatorit në Bashkimin Evropian si një nga shtyllat kryesore të funksionimit të tregut të përbashkët. Ai nënvizoi se tregu mund të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme vetëm nëse qytetarët kanë besim në produktet dhe shërbimet e ofruara. Gjithashtu, z. Ferrero evidentoi përfitimet konkrete që sjell përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke përmendur, ndër të tjera, të drejtat e pasagjerëve ajrorë, uljen e kostove të roaming-ut dhe standardet e larta të sigurisë ushqimore. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai ritheksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian përfaqëson një përfitim të drejtpërdrejtë për konsumatorët shqiptarë.
Në vijim të aktivitetit, Qendra “Konsumatori Shqiptar” së bashku me dy organizatat e tjera organizatore të aktivitetit prezantuan gjetjet kryesore të tre raporteve studimore.
Qendra “Konsumatori Shqiptar” prezantoi rezultatet përfundimtare të raportit mbi ngritjen dhe funksionimin e Zyrave për Mbrojtjen e Konsumatorëve pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, duke i krahasuar ato me gjetjet e një studimi të ngjashëm të realizuar në vitin 2021. Rëndësia e këtij studimi qëndron në nevojën që çdo konsumator në Shqipëri, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, të ketë akses të afërt dhe efektiv në mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të tij.
Nga analiza rezulton një përmirësim i situatës krahasuar me vitin 2021, pasi një numër më i madh bashkish kanë krijuar struktura për mbrojtjen e konsumatorëve ose kanë deleguar këto kompetenca tek specialistë përkatës. Megjithatë, pavarësisht progresit të arritur, një pjesë e konsiderueshme e njësive vendore vijon të mos disponojë struktura apo kapacitete të dedikuara në këtë fushë. Për rrjedhojë, mbetet ende e nevojshme ndërmarrja e masave të mëtejshme për forcimin e këtyre mekanizmave, me qëllim garantimin e mundësisë që konsumatorët të adresojnë ankesat dhe problematikat e tyre pranë autoriteteve kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në vijim, u zhvillua një diskutim i hapur ndërmjet pjesëmarrësve, ku u evidentua se një ndër sfidat kryesore me të cilat përballen konsumatorët në Shqipëri mbetet niveli i ulët i informimit dhe ndërgjegjësimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua problematikave që lidhen me blerjet online përmes rrjeteve sociale, ku në shumë raste tregtarët nuk janë të identifikueshëm dhe, për rrjedhojë, shmangin përgjegjësinë për shkeljet dhe mosrespektimin e të drejtave të konsumatorëve. Po ashtu, u theksua se siguria ushqimore vijon të mbetet një ndër çështjet më problematike dhe të ndjeshme për konsumatorët në Shqipëri.
Në këtë drejtim, u nënvizua rëndësia e një angazhimi të përbashkët nga institucionet përgjegjëse, organizatat e shoqërisë civile dhe vetë konsumatorët, për të rritur nivelin e informimit dhe ndërgjegjësimit mbi të drejtat dhe detyrimet që lidhen me konsumimin e mallrave dhe shërbimeve.







